Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim-vendimin për bartjen e Zyrës për çështjet e kategorive të dala nga lufta e UÇK-së nga Zyra e Kryeministrit në Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare.
Kryeministri Albin Kurti deklaroi se ky vendim synon forcimin e përkujdesjes institucionale dhe një koordinim më të drejtpërdrejtë të politikave për kategoritë e dala nga lufta çlirimtare.
Ai theksoi se, për herë të parë, vlerat e luftës çlirimtare janë përfshirë në emërtimin e një ministrie, duke nënvizuar rëndësinë që i kushtohet kësaj fushe.
Sipas Kurtit, kalimi i kësaj zyre në kuadër të ministrisë përkatëse do të mundësojë një qasje më të organizuar dhe efikase në trajtimin e çështjeve që lidhen me kategoritë e dala nga lufta.




