Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit me inicialet A.H., pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Kosovës.
I dyshuari po hetohet për veprat penale të pjesëmarrjes në grup kriminal të organizuar, blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve, si dhe shpëlarjes së parave.
Sipas gjykatës, masa e paraburgimit është caktuar për shkak të dyshimeve për vepra të rënda penale dhe rrezikut që i pandehuri mund të pengojë zhvillimin e procedurës, të ndikojë te persona të tjerë apo të ndërhyjë në prova.
Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.




