Shtatë pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe 76 kursantë nga Shqipëria kanë përfunduar me sukses vitin akademik 2025–2026 në Kolegjin e Mbrojtjes dhe Sigurisë, duke u diplomuar në Kursin e Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm (KKSHP) dhe Kursin e Lartë të Oficerit (KLO).
Në ceremoninë e diplomimit morën pjesë ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi, si dhe drejtues të lartë ushtarakë.
Ministri Nufi theksoi se arsimi ushtarak është thelbësor për përgatitjen e oficerëve për sfidat moderne të sigurisë dhe nënvizoi rëndësinë e zhvillimit të Kolegjit si një qendër moderne, të integruar me akademitë ushtarake të vendeve të NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Ai vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin mes Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe FSK-së si dëshmi e partneritetit të ngushtë mes dy vendeve.




