Ministri i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka bërë të ditur se është nënshkruar marrëveshja për zbatimin e projektit “Fuqizimi Ekonomik i Grave”, në bashkëpunim me GIZ-in gjerman.
Sipas Hotit, projekti synon të mbështesë gratë mbi moshën 30-vjeçare në Kosovë, duke u krijuar mundësi më të mëdha për aftësim profesional, punësim dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
Ai theksoi se projekti realizohet në kuadër të bashkëpunimit zhvillimor ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë, ndërsa GIZ-i ka përzgjedhur ministrinë për zbatimin e tij.
Ministri shprehu mirënjohje ndaj Gjermanisë për mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe për përkrahjen ndaj qytetarëve të vendit.




