Ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se ka nisur një projekt për rehabilitimin e zonave të degraduara në pellgun e lumit Drini i Bardhë.
Për këtë qëllim është nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi me përfaqësuesit e organizatës CNVP, me synim përmirësimin e menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve, mbrojtjen e burimeve natyrore dhe rikthimin e ekosistemeve të dëmtuara.
Sipas Pacollit, përmes këtij projekti do të rehabilitohen mbi pesë hektarë tokë e degraduar, do të realizohen mbjellje të reja për ripyllëzimin e zonave të dëmtuara, si dhe do të punohet në mbrojtjen e biodiversitetit dhe ndërgjegjësimin e komunitetit për ruajtjen e mjedisit.
Ajo ka theksuar se institucionet do të vazhdojnë të mbështesin iniciativa që synojnë zhvillimin e qëndrueshëm dhe menaxhimin e përgjegjshëm të pasurive natyrore në Kosovë.




