Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, ka ndaluar dhjetë persona gjatë një aksioni të zhvilluar në fshatin Rimanisht të Komunës së Prishtinës.
Të dyshuarit, përfshirë edhe shtetas të Republikës së Shqipërisë, akuzohen për veprat penale: ‘’Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, paisjeve apo materialeve narkotike’’, dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’.
Nga vendi i ngjarjes janë sekuestruar sasi të konsiderueshme të substancave psikotrope, armë zjarri, si dhe prova të tjera materiale, të cilat do të përdoren në procedurën hetimore.
“Prokurori i shtetit në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës kanë dalur menjëherë në vendin e ngjarjes. Të dyshuarit janë ndaluar dhe brenda afatit ligjor do të parashtroj kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë thekson se mbetet e përkushtuar në hetimin dhe ndjekjen e veprave penale.




