Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), ka vazhduar kontrollet ndaj bizneseve që operojnë në fushën e kriptovalutave dhe këmbimoreve.
Gjatë aksionit të fundit janë kryer 14 inspektime, ku dy biznese janë mbyllur për shkak të mungesës së dokumentacionit të nevojshëm për ushtrimin e veprimtarisë, ndërsa dy të tjera janë gjobitur për mosrespektim të orarit të punës.
IQMT ka rikujtuar se subjektet që operojnë në këtë sektor duhet të plotësojnë të gjitha kërkesat ligjore, përfshirë dokumentacionin teknik nga MINT dhe licencimin përkatës nga Banka Qendrore e Kosovës.
Inspektorati ka bërë të ditur se aksionet do të vazhdojnë me qëllim sigurimin e një tregu më të rregullt dhe transparent.




