Një rast i dyshuar i dhunës në familje është raportuar në Podujevë, ku një grua ka kërkuar ndihmë mjekësore pasi dyshohet se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.
Policia ka arrestuar të dyshuarin, ndërsa me vendim të Prokurorit ai është dërguar në ndalim për 48 orë.
Sipas informacioneve, rasti ka ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit në fshatin Dumnicë të Podujevës, pas një mosmarrëveshjeje mes çiftit.
Viktima më pas është larguar në shtëpinë e prindërve të saj, nga ku ka kërkuar ndihmën e Policisë. Gjatë intervistimit, në prani të përfaqësuesit të Qendrës për Punë Sociale, ajo ka deklaruar se ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj dhe ka pranuar trajtim mjekësor.
I dyshuari është intervistuar në Polici në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa ndaj tij është iniciuar procedurë për veprën penale “Dhunë në familje”.
Hetimet për rastin janë duke vazhduar.




