Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka miratuar rregulla të reja për sjelljen e personave të burgosur dhe kriteret për pushimet jashtë institucioneve korrektuese.
Drejtori i përgjithshëm i SHKK-së, Ismail Dibrani, ka nënshkruar Kodin e Mirësjelljes dhe udhëzuesin për vlerësimin e kërkesave për pushim.
Kodi përcakton standardet e sjelljes, respektimin e disiplinës, shmangien e dhunës dhe bashkëpunimin me stafin dhe personat e tjerë.
Ndërkaq, për dhënien e pushimeve do të vlerësohen individualisht faktorë si vepra penale, sjellja gjatë vuajtjes së dënimit, pjesëmarrja në programe rehabilituese, rreziku për sigurinë publike dhe mundësia e arratisjes.
Vendimi për pushim do të merret pas vlerësimit nga një ekip multidisiplinar dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi./EO/




