Policia shqiptare ka finalizuar operacionin “Anchor” në Durrës, duke goditur një grup të dyshuar për trafikim të lëndëve narkotike nga Kanadaja drejt Shqipërisë dhe Kosovës.
Gjatë aksionit janë sekuestruar 127 pako me rreth 80 kilogramë kanabis të llojit “Gelato”, me përmbajtje të lartë THC. Sipas autoriteteve, droga kishte një vlerë të përllogaritur në treg prej rreth 1 milion eurosh.
Në kuadër të operacionit janë arrestuar tre shtetas kosovarë, të moshës 26, 32 dhe 40 vjeç, të dyshuar për trafikim të narkotikëve.
Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë, njëri nga Kukësi dhe tjetri shtetas kosovar me banim në Ontario të Kanadasë.
Operacioni është zhvilluar pas hetimeve për një rrjet të dyshuar të trafikut ndërkombëtar të narkotikëve.




