Dogana e Kosovws ka njoftuar se sot në Pikëkalimin Kufitar në Vermicë, oficerët doganorë kanë ndaluar për kontroll të detajuar një automjet në hyrje të territorit të Republikës së Kosovës, pas tentativës për shmangie të pikës së kontrollit.
Në momentin e ndalimit, personi kishte deklaruar se nuk kishte asgjë për deklarim. Megjithatë, gjatë kontrollit në bagazhin e mjetit janë zbuluar mallra të padeklaruara, të ndara në disa pako pa fatura dhe dokumentacion përkatës.
Mallrat e padeklaruara përfshijnë produkte kozmetike dhe estetike, si dhe produkte farmaceutike. Shuma totale e mallrave arrin vlerën prej rreth 3,300 euro.
Ndaj palës është inicuar procedurë për kundërvajtje doganore, ndërsa mallrat janë ndaluar deri në përfundimin e procedurave të mëtejme.
Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në forcimin e kontrollit kufitar dhe zbatimin e ligjit për të parandaluar kontrabandën dhe shmangien nga detyrimet doganore.





