Ministri në detyrë i Mbrojtjes në Kosovë, Ejup Maqedonci është nderuar me një nga vlerësimet më të larta ushtarake ndërkombëtare, duke u futur në Sallën e Famës të Kolegjit të Luftës të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara.
Në ceremoninë e mbajtur në Shtetet e Bashkuara mori pjesë edhe Gjenerali Randy A. George, Shef i Shtabit të Ushtrisë së SHBA-së, gjë që e shtoi edhe më shumë rëndësinë e këtij nderimi.
“Është nder jetësor për mua ky vlerësim, duke më vendosur në Sallën e Famës të Kolegjit të Luftës të Ushtrisë së SHBA-ve,” u shpreh Maqedonci.
Përmes një postimi në Facebook, ai theksoi se ky çmim nuk është vetëm një arritje personale, por një reflektim i punës së përbashkët me shumë profesionistë të mbrojtjes në Kosovë gjatë gjithë karrierës së tij.
Maqedonci falënderoi Kolegjin e Luftës të Ushtrisë së SHBA-së për këtë nderim, si dhe për mundësinë që i ishte ofruar vite më parë për të përfunduar studimet në këtë akademi prestigjioze ushtarake, të cilat ai i cilësoi si formuese për karrierën e tij profesionale dhe jetën personale.





