Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka njoftuar se më 22 dhjetor të këtij viti do të nisë gjykimi në mungesë për krime lufte ndaj tre të akuzuarve, Dushan Gavraniq, Zoran Sharac, dhe Zharko Cvetanoviq.
Për të tre këta të akuzuar për krime lufte, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë më 30 dhjetor të vitit të shkuar.
“Sipas propozimit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, gjykimi në këtë çështje do të zhvillohet në mungesë të të pandehurve, për shkak se të njëjtit kanë qenë të pa arritshëm deri në momentin e ngritjes së aktakuzës. Për këtë arsye, përmes kësaj komunikate ju bëhet thirrje të pandehurve që të paraqiten dhe të dorëzohen para organeve të ndjekjes së Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti Special.
Ndërkohë, thirrje u është bërë edhe të gjithë personave që posedojnë informacione relevante lidhur me vendndodhjen e të akuzuarve, që t’i komunikojnë këto informacione Policisë së Kosovës apo organeve tjera kompetente.




