Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili doli fitues në zgjedhjet e së dielës me listën e tij “Për Drenasin Kampion”, ka ftuar qytetarët dhe mbështetësit që të festojnë për fitoren. Ai ka paralajmëruar një koktej simbolik, ndërsa në orën 18:30 ka njoftuar se do të shkojnë te zyrat e PDK-së.
Në një postim në Facebook, Lladrovci ka falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen dhe kontributin në zhvillimin e zgjedhjeve që, sipas tij, janë mbajtur në mënyrë shembullore.
“Me ndjenjën më të lartë të përgjegjësisë njerëzore, institucionale e morale, shpreh respektin e thellë dhe falënderimin për çdo qytetar i cili kontribuoi që zgjedhjet në komunën tonë të zhvillohen në mënyrë shembullore. Megjithëse jemi në pritje të zyrtarizimit të rezultateve, kjo nuk na pengon të kemi një koktej për fitoren, jo vetëm fitore ‘Për Drenasin Kampion’, por fitore të qytetarëve krenarë e me integritet, të cilët kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm para, gjatë dhe pas luftës çlirimtare dhe shtetndërtim”, ka shkruar ai.
Lladrovci ka paralajmëruar se rreth orës 18:30 do të hapet simbolikisht zyra ku më parë ka qenë selia e Degës së PDK-së në Drenas.
Ai ka theksuar se ky koktej nuk është përjashtues ndaj askujt dhe nuk përfaqëson arrogancë të fitores.





