Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se gjendja e punëtorëve në sektorin privat është e keqe, pavarësisht që politikanët lavdërohen sidomos në fushatat zgjedhore.Zbatim nuk po gjen as ligji i punës.
“Të themi të drejtën, të jemi shumë të sinqertë, si me qeveri si pa qeveri, për neve thuajse gati është e njëjta. Realisht, çka ka bërë kjo qeveri për punëtorët? Nuk është duke e zbatuar ligjin e punës, ligjin mbi sigurinë në punë, nuk kemi kontratë kolektive, as gjykatë të punës”, ka thënë Azemi.
Ndonëse pa Qeveri e Kuvend, por Azemi tha se më mirë gjendja nuk ishte edhe kur ato funksiononin. Azemi kujtoi se edhe gjatë funksionimit të Kuvendit, punëtorët janë përballur me padrejtësi.
“Ju e dini që nuk kemi Qeveri e as Kuvend, por edhe kur kemi pasur Kuvend, neve na janë larguar punëtorët pa të drejtë, jashtëligjshëm. Kështu që, për neve, si pat qeveri si nuk pat, është pothuajse e njëjta. Nuk kemi pasur asnjëherë ndihmesën më të vogël,” theksoi ai.
Azemi pati një kërkesë për qeverinë në ardhje ku tha se qeveritë në ardhje të mos veprojnë ashtu siç kanë vepruar deri me tani.
“Punëtorët e sektorit privat të Kosovës prodhojnë, ndërsa ata të sektorit publik shpenzojnë. Ata kanë paga më të mira dhe gëzojnë zbatueshmërinë e ligjit të punës deri në 80-90%, ndërsa ne pothuajse fare. Në sektorin privat, pjesa dërmuese nuk e gëzon as 30% të të drejtave ligjore”, tha Azemi.
Ai shtoi se pagat e ulëta dhe kushtet e vështira të punës janë ndër arsyet kryesore që po detyrojnë të rinjtë të largohen nga vendi.




