Derisa kanë mbetur edhe gjashtë ditë afat për mbajtjen e seancës në të cilën partia e parë do të duhej të dilte me emrat për kabinetin e ri qeveritar, presidentja e shtetit, Vjosa Osmani ka thënë se nuk i takon asaj të flasë për këtë çështje.
Megjithatë ajo është rikthyer pak në kohën sa ishte pjesë e politikës, duke treguar se shpesh diskutimet mes partive politike ndodhin prapa dyerve të mbyllura.
Presindetja Osmani ka theksuar se vetëm pse sot nuk dihet publikisht për këto diskutime, nuk do të thotë se ato nuk po ndodhin.
Kur foli për ankesën e Listës Serbe në Gjykatën Kushtetuese, ajo e quajti një tjetër tentim për vonesa në krijimin e institucioneve.
Sipas Osmanit, Gjykata Kushtetuese e ka lirinë e pavarësinë e plotë të vendosë në përputhje me Kushtetutën.
“Unë nuk mund të supozojë cili do të jetë vendimi final i gjykatës lidhur me kërkesën e Listës Serbe, vrojtimi im ishte në kontestin politik dhe të të drejtave të qytetarëve tanë, pra çdo vonesë tutje i shkelë interesat e qytetarëve tanë, të cilët kanë të drejt të kenë institucione me mandat të plotë të cilat marrin vendime në interes të tyre”, tha ajo.
Sipas saj, vonesa që po tentohet të krijohet nga Lista Serbe i dëmton interesat e jo vetëm të Kosovës si shtet, por të të gjithë qytetarëve të Kosovës, përfshirë edhe serbëve që jetojnë në Kosovë.




