Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka hapur thirrjen për organizatat joqeveritare që të aplikojnë për mbështetje financiare, e cila do të përdoret për ofrimin e pakove ushqimore tek familjet në nevojë.
Kjo sipas njoftimit po bëhet në kuadër të mbështetjes së vazhdueshme për familjet e cenueshme.
Të drejtë aplikimi kanë organizatat që veprojnë në komunitete dhe që ofrojnë shërbime ndaj kategorive të cenueshme të shoqërisë të cilat për të aplikuar duhet të bashkangjesin dokumentet si në vijim: Certifikatën e regjistrimit të organizatës në Republikën e Kosovës, Dëshminë mbi veprimtarinë e organizatës në mbështetje të kategorive të cenueshme, Planin e aktiviteteve që përfshin kapacitetet shërbyese, Numrin potencial të familjeve përfituese, Koston totale të pakove ushqimore duke pasur parasysh se mbështetja është deri në 50 euro për pako, Listën e produkteve që përmban një pako ushqimore dhe çmimet përkatëse, duke pasur parasysh se së paku 70% e produkteve duhet të jenë vendore.





