Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, mori pjesë në ceremoninë e organizuar nga Ambasada e Republikës Çeke në Prishtinë, me rastin e shënimit të Ditës Kombëtare të Çekisë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari Dimal Basha theksoi se me Republikën Çeke Kosova ndanë vlera të përbashkëta, përfshirë luftën për liri, mbrojtjen e dinjitetit kombëtar dhe angazhimin për një të ardhme të përbashkët në familjen evropiane.
Kreu i Kuvendit theksoi respektin e ndërsjellë dhe miqësinë e thellë që i bashkon popujt tanë, si dhe ngjashmërinë e historisë sonë që është e pasuruar nga përpjekjet për liri, pavarësi, dhe besimi në parimin e vetëvendosjes.
“Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve tanë, shprehim urimet më të përzemërta për popullin çek me rastin e 107-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Çekisë”, theksoi në fjalën e tij kryetari Basha.
Në këtë ceremoni kryetari Basha dhe të ftuarit e tjerë u mirëpritëm nga Ambasadori i Republikës Çeke, Bohumil Mazánek, një aleat i rëndësishëm i Republikës së Kosovës.





