Kryeministri në detyrë, Albin Kurti sot në seancën për formimin e qeverisë propozoi Sejnur Veshallin për postin e Ministrit të Zhvillimit Rajonal.
Pas dështimit të seancës së Kuvendit, ku Qeveria nuk mori votat e besimit, ka reaguar Veshalli duke theksuar se për herë të parë në historinë e Kosovës, një rom u propozua për vendimmarrje.
“Ky është një hap që tregon se barrierat mund të thyhen kur bashkohemi dhe besojmë në të njëjtin ideal”, shkruan Veshalli.
Ai tutje shkruan se edhe pse Qeveria nuk u votua, ndihet i privilegjuar dhe i nderuar që është propozuar për herë të parë për vendimmarrje që sipas tij ky moment shënon fillimin e një rruge të re, ku zëri i secilit qytetar, pa dallim, mund të dëgjohet dhe do të dëgjohet.
Postimi I plotë:
Sot rruga është e hapur për të gjithë
Për herë të parë në historinë e Kosovës, një rom u propozua për vendimmarrje, një moment historik, jo vetëm për komunitetin rom, por për gjithë shoqërinë tonë që beson në barazi dhe mundësi të drejta për secilin. Ky është një hap që tregon se barrierat mund të thyhen kur bashkohemi dhe besojmë në të njëjtin ideal.
Pas fitores së shkurtit, Kryeministri Albin Kurti dhe Kryetari Kinolli më dhanë mundësinë që të jem pjesë e Qeverisë së Kosovës, një përgjegjësi dhe nder i madh.
Sot, edhe pse Qeveria nuk u votua, ndihem shumë i privilegjuar dhe i nderuar që jam propozuar për herë të parë për vendimmarrje. Ky moment shënon fillimin e një rruge të re, ku zëri i secilit qytetar, pa dallim, mund të dëgjohet dhe do të dëgjohet.
Ju faleminderit që ishit me mua në këtë rrugëtim, që më mbështetët dhe besuat në mua.
I juaji,
Sejnuri




