Gjykata Supreme e Kosovës ka pranuar ankesat e dy kandidatëve për Asamblenë Komunale, Gentiana Bajrami Atashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Blerim Krasniqi nga Nisma Socialdemokrate, duke prishur vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe duke kthyer çështjet në rivendosje.
Në njoftimin e Gjykatës Supreme thuhet se pas refuzimit të ankesës së Bajrami Atashit nga PZAP, ajo kishte paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme, duke kërkuar “verifikimin dhe hapjen e kutive të votimit në qendrat ku janë evidentuar mospërputhje”.
Supremja ka konstatuar se PZAP nuk ka vepruar sipas ligjit kur kishte refuzuar kërkesën e saj, duke theksuar se “PZAP-ja mund të urdhëroj rinumërimin e fletëvotimeve në një vendvotim apo qendër votimi si dhe shqyrtimin e materialit votues si pjesë të hetimeve për ankesën e parashtruar”, siç përcakton neni 117 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës.
Edhe ankesa e Blerim Krasniqit kishte pasur të njëjtin epilog. Ai kishte kërkuar që ankesa të miratohet “bazuar në gjendjen faktike dhe në dispozita ligjore”, por PZAP e kishte refuzuar duke argumentuar se “nuk mund të anashkalohet fakti i dëshmive që janë në dosjen e lëndës, sepse në proces zgjedhor dëshmi tjera palët nuk kanë mundësi të sigurojnë”.
Mirëpo, Gjykata Supreme, duke kundërshtuar qëndrimin e PZAP-it, vlerëson se organi zgjedhor ka qenë i obliguar t’i sigurojë vetë ato dëshmi. Në vendim theksohet se “është në kompetencë të PZAP-it, që gjatë vendosjes për një ankesë të shqyrtojë dhe hetojë të gjitha dëshmitë relevante”, përfshirë edhe materialin zgjedhor, “veçanërisht kutitë e votimit”.





