Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme Elisa Spiropali u prit pasditen e sotme në Bruksel nga Zëvendës Presidentja e Komisionit Europian dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Kaja Kallas.
Spiropali njoftoi në rrjetet sociale se në fokus të takimit ishte angazhimi i mëtejshëm i Shqipërisë si faktor i sigurisë rajonale, partner i besueshëm e proaktiv i BE-së, tërësisht i linjëzuar me politikat e Unionit, përfshirë në mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakushtëzuar për Ukrainën.
Ministrja njofton se në takimin me Kallas, “theksova bindjen e plotë se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE, përfshirë Kosovën, është një investim strategjik për të ardhmen e përbashkët nën qiellin europian”.
Postimi I plotë:
BRUKSEL – Me shumë kënaqësi u takova sot me Zëvendës Presidenten e Komisionit Europian dhe Përfaqësuesen e Lartë të BE për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Kaja Kallas, për angazhimin e mëtejshëm të Shqipërisë si faktor i sigurisë rajonale, partner i besueshëm e proaktiv i BE-së, tërësisht i linjëzuar me politikat e Unionit, përfshirë në mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakushtëzuar për Ukrainën.
E falenderova Kryediplomaten Europiane për mbështetjen financiare që Unioni vijon t’i japë Shqipërisë, përfshirë edhe sigurinë e mbrojtjen.
Theksova bindjen e plotë se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE, përfshirë Kosovën, është një investim strategjik për të ardhmen e përbashkët nën qiellin europian.




