Me ftesë të Komisionit Evropian dhe të Ministrisë së Energjisë të Rumanisë, Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Ekonomisë e Republikës së Kosovës, Leonita Shabani-Mullarama, mori pjesë në takimin e radhës të nivelit të lartë ministror, i cili u mbajt në kuadër të Ndërlidhshmërisë së Infrastrukturës Energjetike të Evropës Qendrore dhe Juglindore
Takimi kishte për qëllim zhvillimin e diskutimeve mbi integrimin e tregjeve dhe shfrytëzimin e infrastrukturës në sektorin e energjisë, me fokus të veçantë në fleksibilitetin dhe integrimin më të mirë të kapaciteteve energjetike, për të siguruar çmime më të përballueshme për konsumatorët.
Gjatë takimit u trajtuan edhe sfidat me të cilat përballet sektori i energjisë elektrike në Kosovë, ku nga sekretarja Shabani – Mullarama u theksua mungesa e bashkëpunimit rajonal, që i ka pamundësuar Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Kosovës (KOSTT) shfrytëzimin e linjave ndërkufitare për alokimin e kapaciteteve komerciale.




