Ngërçi institucional në Kosovë po vazhdon pa zgjidhje. Për të 41-tën herë me radhë, deputetët nuk kanë arritur të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit, duke lënë ende të paplotësuar pozitën e kryetarit të Kuvendit.
Në seancën e fundit të mbajtur të mërkurën, ishin të pranishëm 99 deputetë. Megjithatë, vetëm 54 prej tyre morën pjesë në votimin për krijimin e Komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Të gjithë votuan në favor, pa vota kundër apo abstenime.
Përkundër kësaj, përfaqësuesit e partive që më parë ishin në opozitë vazhdojnë të refuzojnë pjesëmarrjen në proces, duke mos ofruar kandidatura për Komisionin, edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që i detyron ata ta përmbyllin këtë proces brenda 30 ditëve.
Seanca u shoqërua me tensione dhe përplasje të ashpra verbale ndërmjet kryesuesit Avni Dehari dhe deputetëve opozitarë. Këta të fundit akuzuan Deharin për “shkelje të Kushtetutës” dhe kërkuan nga ai të ndalë veprimet që, sipas tyre, bien ndesh me vendimin e Kushtetueses.
Seanca e radhës është thirrur për të shtunën, në ora 11:00, ndërsa afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit po afrohet me shpejtësi.




