Ministri belg i Mbrojtjes, Theo Francken, ka thënë se NATO-ja do ta “rrafshonte Moskën” nëse Rusia do të sulmonte Brukselin.
Në një intervistë për gazetën De Morgen, Francken ka prekur një sërë çështjesh strategjike të nxehta, duke përfshirë luftën në Ukrainë, mbrojtjen evropiane, luftën hibride dhe parandalimin bërthamor.
I pyetur nëse kishte frikë se presidenti rus, Vladimir Putin mund të niste një sulm me raketa konvencionale në Bruksel, përgjigjja e tij ishte e qartë.
“Jo, sepse atëherë ai do të godiste zemrën e NATO-s, dhe pastaj ne do ta rrafshonim Moskën”, është shprehur Francken.
Ai ka shprehur mbështetje të fortë për udhëheqjen e SHBA-së në NATO dhe ka përsëritur besimin e tij në Nenin 5, klauzolën e mbrojtjes së ndërsjellë që mbështet aleancën.
Francken ka shtuar se ishte më i shqetësuar për përdorimin e luftës hibride nga Rusia sesa për kërcënimin e sulmeve konvencionale.




