Dhomat e Apelit të Gjykatës Speciale në Hagë, ia kanë rrëzuar ankesën e ish-Presidentit Hashim Thaçi për rastin “Pengim i drejtësisë”.
Mbrojtja e Thaçit ishte ankuar për barrën e madhe të vështirësive edhe financiare, për t’i përballuar dy rastet, por edhe për fazën e rëndësishme në të cilën ndodhet procesi për krime të luftës, ndaj kishte kërkuar që rasti “Pengim i drejtësisë” të ndahet apo të shtyhet.
Megjithatë, gjyqtarët e Apelit kanë gjetur se kërkesa e Thaçit nuk është e bazuar.
“Ndërsa Gjyqtarja e Procedurës Paraprake nuk iu referua çdo argumenti që Mbrojtja ngriti në përgjigje të përgjigjes së ZPS-së ndaj Mocionit Paraprak të Thaçit mbi Juridiksionin, Paneli kujton se nuk kërkohet që një panel të artikulojë çdo hap të arsyetimit të tij dhe të diskutojë çdo parashtresë, për sa kohë që ai ofron arsyetim në mbështetje të gjetjeve të tij mbi konsideratat thelbësore relevante për një vendim. Në dritën e kësaj, Paneli konstaton se Gjyqtarja e Procedurës Paraprake dha arsyetim të mjaftueshëm për gjetjen e saj në lidhje me zbatimin e Rregullit 20 të Rregullores në lidhje me kundërshtimin e Thaçit dhe e hedh poshtë argumentin e Thaçit në këtë drejtim”, thuhet në vendim.
Njëjtë, Thaçit i është refuzuar edhe ankesa se gjyqtarja e rastit nuk kishte kompetencë për ta konfirmuar aktakuzën e pengimit të drejtësisë.
Argumentet kryesore të ekipit të Thaçit janë se çështje të njëjta faktike po trajtohen në dy procese të ndryshme, duke rrezikuar që të ketë vendime kontradiktore dhe të cenohet prezumimi i pafajësisë së Thaçit.




