Shtetet e Bashkuara do të ndajnë teknologjinë që do t’i lejojë Koresë së Jugut të prodhojë një nëndetëse bërthamore, ka njoftuar presidenti Donald Trump në rrjetet sociale.
Njoftimi vjen pasi Trump u takua me presidentin e Koresë së Jugut, Lee Jae-Myung. Gjatë takimit, Lee njoftohet të ketë deklaruar se Koreja e Jugut, me ndihmën e një nëndetëseje bërthamore, mund ta ndihmojë SHBA-në në rajon. Ai gjithashtu ka premtuar rritjen e buxhetit të mbrojtjes së vendit, në mënyrë që SHBA të mund të ulë kostot e saj ushtarake në atë zonë, raporton Aftonbladet.
Teknologjia e nëndetëseve bërthamore amerikane konsiderohet ndër më të ndjeshmet dhe më të mbrojturat në fushën ushtarake. Sipas agjencisë së lajmeve AP, SHBA nuk e ka ndarë të gjithë këtë teknologji as me aleatët e saj më të ngushtë në kuadër të bashkëpunimit të quajtur Aukus, me Mbretërinë e Bashkuar dhe Australinë.
Në mars, Koreja e Veriut zbuloi se kishte nisur prodhimin e një nëndetëseje bërthamore.




