Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas anulimit të tenderit për rehabilitimin e bllokut A3 në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), duke adresuar kritika ndaj deputetes së opozitës, Hykmete Bajrami.
Postimi I plotë i Hekuran Muratit:
“Sa herë që KEK tenton të regjenerojë kapacitetet, disa nga opozita mobilizohen me të gjitha institucionet e kapura që të pengojnë çfarëdo pune që do rriste sigurinë e furnizimit apo edhe kapacitetet gjeneruese nga KEK.
Rastin më të fundit e keni tenderin për rehabilitim të bllokut A3, për të cilin Hykmetja që nga dita e parë ka sulmuar ndërmarrjen.
Sot, Hykmetja i qenka gëzuar lajmit se tenderi qenka pezulluar me urdhër të OSHP-së, me arsyetimin se tenderi ka kritere diskriminuese për kompanitë lokale (cila kompani lokale ka kapacitet për rindërtim të termocentraleve se?).
Pra në vend se puna të ecte dhe blloku A3 të rehabilitohej sa më shpejtë, do të kemi vonesa të reja, sepse opozitës i pengon çfarëdo rritje e kapaciteteve publike.
Ngjashëm e patën sulmuar edhe kontratën me General Electric për ndërrim të turbinave të TC Kosova B1 dhe B2, projekt që rrit jetëgjatësinë e dy blloqeve dhe shton kapacitetin gjenerues.
Ngjashëm e kanë bllokuar edhe marrëveshjen me EIB për 100 MW energji solare në KEK.
Ngjashëm e patën bllokuar edhe projektin e Bilfinger për rehabilitimin e komplet blloqeve të TC Kosova A, madje kjo ka ndodhur kur Hykmetja ka qenë ministre.
Pra, sa herë që KEK tenton të rrisë kapacitetin furnizues, i shihni se si bëjnë çmos që ta pengojnë e vonojnë, këta që vazhdimisht pretendojnë se ua qajnë hallin qytetarëve.
Vlerësojeni vetë të dashur qytetarë se kush po i shërben mafisë energjetike?”




