Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka dorëzuar të premten një kërkesë zyrtare në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, lidhur me zhvillimet e fundit në Kuvend, që sipas kësaj partie përbëjnë shkelje të normave kushtetuese dhe të rendit demokratik.
Pas dorëzimit të lëndës, deputeti i LDK-së, Shkëmb Manaj, ka kërkuar që në seancat e ardhshme të Kuvendit të mos përsëriten veprime që bien ndesh me Kushtetutën.
“Nuk është e pranueshme që vullneti politik të përdoret për të ndryshuar rendin e ditës. I bëjmë thirrje Gjykatës Kushtetuese që të shqyrtojë këtë rast sa më shpejt, në mënyrë që të rikthehet funksionimi institucional dhe të bëhet e mundur zgjedhja e kryetarit të Kuvendit nga të gjithë deputetët,” deklaroi Manaj.
Ai theksoi se vetë Gjykata Kushtetuese më parë ka përcaktuar se rendi i ditës duhet të respektohet dhe procedurat duhet të zhvillohen sipas praktikës së mëparshme.
Sipas Manajt, shkeljet kanë vazhduar edhe pas aktvendimit të Kushtetueses, ku një nga pikat e theksuara në kërkesën e dorëzuar është pikërisht mosrespektimi i rendit nga ana e kryesuesit të seancës, Avni Dehari.




