Në kuadër të Konferencës Vjetore të Prokurorëve të Republikës së Kosovës është zhvilluar procesi zgjedhor për zgjedhjen e anëtares së re të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) nga radhët e prokurorive themelore, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi dhe me respektimin e parimit të përfaqësimit të gjinisë së nënpërfaqësuar në organet udhëheqëse të sistemit prokurorial.
Komisioni Zgjedhor për Zgjedhjen e Anëtarit të ri të Këshillit Prokurorial të Kosovës, nën kryesimin e z. Arian Gashi, pas përfundimit të procesit të votimit, ka kryer verifikimin dhe numërimin e votave, duke shpallur rezultatet përfundimtare, të cilat u prezantuan para prokurorëve pjesëmarrës në votim.
Në këtë proces zgjedhor morën pjesë gjithsej 135 prokurorë, prej të cilëve 132 ishin vota të vlefshme, kurse tri fletëvotime u shpallën të pavlefshme, me ç’rast pas numërimit u konstatua se anëtare e re e KPK-së u zgjodh me 74 vota për znj. Elza Bajrami-Kastrati, Zëvendëskryeprokurore në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, e cila do të ushtrojë këtë funksion për një mandat pesëvjeçar, ndërkaq kandidatja tjetër, prokurorja Merita Kurtishi-Gaka nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, mori 58 vota.
Një raport i detajuar për mbarëvajtjen e këtij procesi zgjedhor do të përgatitet dhe dërgohet së shpejti.
Në këtë proces kanë qenë të pranishëm përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë, të cilët janë ftuar nga KPK-ja për të monitoruar procesin zgjedhor për anëtarin e ri të KPK-së, në mënyrë që të respektohen standardet procedurale, transparenca dhe besueshmëria publike ndaj këtij procesi.




