Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-shefi i diplomacisë, Enver Hoxhaj, ka thënë se Kosova do të mund të kishte shumë më tepër njohje ndërkombëtare nëse do të kishte një qeveri më aktive dhe të përgjegjshme në politikën e jashtme.
Hoxhaj ka folur për procesin e njohjeve, duke përmendur rastet e fundit të Sirisë dhe Sudanit.
“Mendoj që njohja e Sirisë, për të cilën jam gëzuar shumë, pasi jam marrë gjatë me të si dikush që e ka pritur opozitën siriane në ministri, është një hap i rëndësishëm. Edhe njohja e Sudanit ka qenë afër, por patëm dështuar sepse komuniteti i deputetëve atje e kishte kundërshtuar”, tha Hoxhaj, në T7, transmeton EkonomiaOnline.
Ai shtoi se këto zhvillime tregojnë se me pak përpjekje dhe angazhim diplomatik, Kosova mund të arrijë edhe më shumë suksese në arenën ndërkombëtare.
Sipas tij, disa shtete janë tashmë të gatshme ta njohin Kosovën, përfshirë Irakun, Libanin, Tunizinë dhe disa vende të tjera në Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine.
Me bindje, Hoxhaj tha se me një qeveri të re dhe një politikë të jashtme më të fokusuar, Kosova do të mund të hynte në një “valë të re të njohjeve ndërkombëtare”.




