Operacioni i fundit i finalizuar nga Policia e Kukësit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Policinë e Tiranës, ka çuar në arrestimin e dy shtetasve nga Kosova dhe sekuestrimin e një sasie të madhe armësh zjarri që ishin në proces trafikimi nga Kosova në Shqipëri.
Në një deklaratë të Policiës së Shtetit, shprehet falënderimi dhe vlerësimi për strukturat e Policisë së Kukësit, për efektivët e patrullës, Shqiponjat dhe specialistët e hetimit që realizuan goditjen e këtij rasti, duke sekuestruar 8 armë zjarri të llojit pistoletë dhe duke vënë në pranga dy shtetas nga Kosova.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë, Ilir Proda , tha se bashkëpunimi me Policinë e Kosovës është kthyer në model suksesi në rajon.




