Komandanti i FSK-së Gjenerallejtënant Bashkim Jashari priti në takim mirëseardhës komandantin e KFOR-it Gjeneral Major Özkan Ulutash.
Fillimisht Gjeneral Jashari shprehu mirëseardhje Gjeneral Major Ulutash dhe e uroi për detyrën komandantit të KFOR-it, duke i dëshiruar sukses në këtë detyrë të rëndësishme.
Gjatë takimit ata diskutuan për zhvillimet e fundit në Forcën e Sigurisë së Kosovës, duke përfshirë trajnimet, stërvitjet, sfidat, operacionet dhe aktivitetet e tjera të saj. Poashtu, u fol edhe për situatën aktuale të sigurisë vendore dhe rajonale, si dhe për sfidat e përbashkëta me të cilat përballen.
Në takim u diskutua gjithashtu edhe për bashkëpunimin e deritanishëm në mes të FSK-së dhe KFOR-it, si dhe u theksua rëndësia e thellimit të këtij bashkëpunimi, i cili do të kontribuojë në forcimin e paqes dhe sigurisë si në Kosovë, ashtu edhe në rajon.





