Përparimi i Kosovës në agjendën e Bashkimit Evropian është penguar nga politikat e brendshme përçarëse dhe nga ngërçi politik pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, pavarësisht se Kosova është e përkushtuar në rrugën evropiane, me nivel të lartë të mbështetjes publike.
Kështu thuhet në një draft të Raportit të Progresit në pjesën për Kosovën për vitin 2024, shkruan Radio Evropa e Lirë.
BE-ja i përpilon këto raporte për vendet që synojnë anëtarësimin në bllokun evropian.
Kosova, për dallim prej vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor, nuk e ka statusin e vendit kandidat, ndonëse ka aplikuar për anëtarësim në dhjetor të vitit 2022.
Në dokument përmendet se Kosova e ka përshtatur në mënyrë vullnetare politikën e saj të jashtme me atë të Bashkimit Evropian, çka sinjalizon përkushtim të qartë për vlerat e BE-së, veprim shumë i mirëpritur.
Mes tjerash në draft-raport përmendet se Komisioni Evropian i ka marrë hapat e parë drejt heqjes graduale të masave ndëshkuese.
Kosova ishte ndëshkuar me masa prej BE-së në verën e vitit 2023, meqë blloku kishte vlerësuar se autoritetet kosovare nuk kishin bërë mjaftueshëm për t’i parandaluar trazirat që patën shpërthyer në veriun e banuar me shumicë serbe.
“Hapat tjerë do të varen nga shtensionimi i vazhdueshëm në veri. Komisioni synon t’i heqë masat financiare kur të ketë transferim të rregullt të qeverisjes lokale në veri, pas zgjedhjeve të mbajtura”.
Në draftin e raportit të BE-së është përmendur edhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve që ndërmjetësohet nga vetë blloku.
Dyja vendeve u kërkohet që t’i zbatojnë të gjithë obligimet që dalin nga Marrëveshja për normalizim marrëdhëniesh, të arritur më 2023 dhe aneksin e zbatimit, të arritur po atë vit.
Kosovës i kërkohet të angazhohet në gjetjen e zgjidhjeve afatgjata që të gjitha komunitetet të kenë qasje në shërbime publike bazike, në përputhje me obligimet e dialogut të nisur qysh më 2011.
Dialogu në nivelin e lartë është zhvilluar për herë të fundit në shtator të vitit 2023, ndërsa në nivel teknik palët janë takuar disa herë, por pa arritur ndonjë marrëveshje.




