Deputetja Duda Balje ka dhënë një deklaratë para fillimit të seancës së 43-të konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke i bërë thirrje partive shqiptare që të arrijnë një marrëveshje për tejkalimin e situatës aktuale politike.
Ajo u shpreh se nuk e konsideron votën e saj si vendimtare për zgjedhjen e kryeparlamentares, por theksoi se në rast se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) vendos të votojë, atëherë numrat për miratimin e kandidaturës do të jenë të mjaftueshëm.
“Shpresoj që partitë shqiptare do të gjejnë një zgjidhje përmes marrëveshjes. Vota ime nuk do të jetë vendimtare. Duhet medoemos të dilet nga kjo krizë, dhe mendoj se njëra palë duhet të bëjë hapin e parë. Kemi ende disa ditë për të parë se cili do të jetë drejtimi i zhvillimeve. Nëse AAK jep mbështetjen e saj, atëherë votat do të jenë të mjaftueshme”, deklaroi Balje.
E pyetur nëse vota e saj mund të ndikojë në zgjedhjen e kryetares së Kuvendit, ajo u shpreh se nuk beson që ajo do të jetë vendimtare në këtë proces.




