Punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës kanë dalë sërish në protestë për shkak të mosmarrjes së pagave, duke kërkuar nga institucionet që të ndërmarrin veprime urgjente për zgjidhjen e situatës.
Në duar ata mbanin pankarta me mbishkrime të fuqishme si: “Punëtorët e RTK-së, jo viktima të krizës”, “Gazetar pa pagë = demokraci pa zë”, “Kërkojmë dinjitet, jo mëshirë” dhe “RTK nuk hesht edhe në errësirë”. Punëtorët kërkuan vetëm atë që u takon me ligj – pagat e tyre, të cilat nuk i kanë marrë tash e gjashtë ditë.
Përfaqësuesi i Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së, Gëzim Bimbashi, kërkoi reflektim nga institucionet dhe paralajmëroi mundësinë e hyrjes në grevë të përgjithshme nëse gjendja nuk ndryshon.
“Nëse brenda një kohe të shkurtër nuk gjendet zgjidhje, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së do të shqyrtojë mundësitë ligjore për hyrje në grevë të përgjithshme. Dhe nëse vazhdohet me heshtje e shpërfillje, protestat tona mund të përshkallëzohen”, tha Bimbashi.




