Sot ka filluar dëshminë ish-ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, në rastin e Thaçit dhe të tjerëve.
Në fillim të dëshmisë, diplomati amerikan tha se Kosovën e kishte vizituar në maj të vitit 1998, në kohën kur iu kërkua që të merrte një përgjegjësi shtesë gjatë kohës sa ishte ambasador i SHBA-ve në Shkup.
Më tej, Hill deklaroi se në Amerikë u kthye në vitin 1999 dhe u bë drejtor i lartë i Këshillit Kombëtar të Sigurimit për çështjet e Evropës Juglindore, më saktësisht për Ballkanin dhe këto detyra i kreu deri në verën e vitit 2000.
Më tutje Hill u pyet nëse Kosova ishte pjesë e bisedave në Marrëveshjen e Dejtonit, ku tha se ato biseda ishin të përqndruara në përfundimin e luftës në Bosnje dhe Hercegovinë dhe se çështja e Kosovës ka dalë në disa rrethana kur kishte qytetarë amerikanë me prejardhje shqiptare që kërkonin të trajtohej edhe çështja e Kosovës.
Ndërkaq kur u pyet për se a ka pasur mundësi të takohet me persona të tjerë të rëndësishëm përpos Millosheviqit, Hill tha se është takuar edhe me presidentët e Kroacisë dhe Bosnjës me të cilët ka biseduar çdo ditë, por nuk ka pasur përfaqësues nga Kosova apo Shqipëria.
Hill përmendi edhe takimin me Rugovën ku tha se me të është takuar për herë të parë më 1998 në rezidencën e ambasadorit amerikan por është takuar edhe një herë tjetër në maj të atij viti.
Ai ka treguar edhe se si u bë ambasador amerikan në Serbi duke treguar edhe se si filloi edhe karrierën si diplomat.
Hill nga viti 2000 deri më 2004 ishte ambasador në Poloni, pas Polonisë ai u caktua ambasador në Korenë e Jugut ku shërbeu për pak kohë, pas Koresë Hill u bë zëvendëssekretar i shtetit për Azinë që nisi në pranverën e vitit 2005, në vitin 2009 atij iu kërkua nga Obama që të shkonte si ambasador në Bagdad të Irakut dhe më pas u pensionua nga shërbimi si diplomat.
Në vitin 2022 u kthye prap kur u bë ambasador në Serbi deri në vitin 2025.




