Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili, mori pjesë si folës në konferencën ndërkombëtare për nder të 100-vjetorit të Bankës së Shqipërisë, me temën: “’Një shekull banking qendror: Nga themelimi institucional te roli si ankorë rajonale”, organizuar nga Banka e Shqipërisë.
Konferenca trajtoi zhvillimet më të fundit në ekonominë globale, strategjitë e Evropës dhe sfidat e ardhshme, politikat monetare dhe rolin e bankave qendrore në kushtet e ndryshimeve të shpejta ekonomike e teknologjike, si dhe çështjet që lidhen me monedhat digjitale të qëndrueshme, pavarësinë monetare dhe të ardhmen e parasë.
Në fjalën e tij, Guvernatori Ismaili theksoi se evolucioni digjital po transformon mënyrën se si funksionojnë ekonomitë dhe shërbimet financiare, duke ndikuar drejtpërdrejt në përfshirjen financiare, efikasitetin e pagesave, forcimin e stabilitetit financiar dhe ruajtjen e integritetit monetar.




