Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka pritur sot në takim Shefin e Divizionit për Kosovë pranë Komisionit Evropian, Jiri Plecity, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit politike e ekonomike në vend.
Ai ka bërë të ditur se temë e rëndësishme e diskutimit ka qenë edhe ratifikimi i Marrëveshjes për Planin e Rritjes dhe Agjendën e Reformave, për të cilën palët janë pajtuar se përfaqëson një interes të përbashkët kombëtar.
Basha ka shprehur mbështetjen e tij për procedimin e marrëveshjes nga Presidentja dhe për trajtimin e shpejtë të saj në Kuvend, duke kërkuar që Plecity të zhvillojë takime edhe me përfaqësuesit e të gjitha partive politike.





