Ushtari i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bali Hoxha është suspenduar nga detyra e tij pasi po ndaj tij është duke u zhvilluar një proces gjyqësor në Britani me akuzat për sulm seksual.
BBC ka raportuar të mërkurën se Bali Hoxha, 28 vjeç, që ishte pjesë e kampit West Tofts në Thetford, Norfolk, akuzohet për përdhunim dhe dy akuza për sulm seksual ndaj një gruaje.
Lidhur me këto akuza, ushtari i ka mohuar para trupit gjykues në Britani.
Sulmi i pretenduar ndodhi përgjatë një shtegu këmbësorësh midis rrugës Prince of Wales dhe qendrës tregtare Riverside Retail Park, rreth orës 23:30 më 17 shtator, në Norwich.
Hoxha është dërguar në paraburgim nga Gjykata e Kurorës në këtë qytet deri në fillimin e gjyqit më 7 prill, i cili pritet të zgjasë pesë ditë.




