Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka bërë të ditur e ka emëruar Peter N. Due nga Danimarka si Përfaqësuesin e tij të ri Special dhe Shef të UNMIK-ut në Kosovë, që pason Caroline Ziadeh nga Libani.
Peter Due që nga viti 2019, ka shërbyer si Drejtor për Azinë dhe Paqësorin në Departamentet e Çështjeve Politike dhe të Ndërtimit të Paqes dhe Operacioneve të Paqes, ndërsa më parë ishte Drejtor për Azinë, Lindjen e Mesme, Evropën dhe Amerikën Latine në Departamentin e Operacioneve Paqeruajtëse, që nga viti 2015.
Due shërbeu gjithashtu si Përfaqësues i Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shef i Zyrës së Kombeve të Bashkuara në Beograd (2013-2015), dhe ishte Zyrtar i Çështjeve Politike me UNMIK-un në Prishtinë.
Përveç angazhimeve të tij në OKB, Due ka punuar edhe në Ministrinë e Jashtme të Danimarkës.




