Zëvendëskryeministri në detyrë dhe kryenegociatori i Kosovës për bisedime me Serbinë, Besnik Bislimi, thotë se e ka njoftuar përfaqësuesin e BE-së për dialogun, Peter Sorensen se Serbia, po i bllokon mjetet e Kosovës të destinuara për Luginën e Preshevës.
Ai në një postim në Facebook, ka thënë se pagesa e financuar nga Qeveria e Kosovës prej mbi 300 mijë eurosh, e destinuar për furnizimin me tekste shkollore, përkrahjen e aktiviteteve ndërkombëtare të avokimit dhe funksionimin institucional të Këshillit Kombëtar Shqiptar, është bllokuar tre herë radhazi nga banka pranuese në Serbi.
Bislimi poashtu ka njoftuar se Institucionet e Kosovës i kanë vënë në dispozicion Bashkimit Evropian të gjitha provat dokumentare: komunikimet SWIFT, kthimet e bankave dhe dokumentacionin e vendimeve qeveritare.





