Sot është mbajtur mbledhja e Grupit Punues për hartimin e analizës së funksionimit dhe efikasitetit të rolit të Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik, nën kryesimin e z. Arian Gashi.
Qëllimi i takimit ishte shqyrtimi i materialeve dhe informatave të pranuara nga njësitë përkatëse, të cilat do të shërbejnë për përgatitjen e analizës së detajuar mbi funksionin dhe efikasitetin e këtij roli.
Në mbledhje morën pjesë anëtarët e Grupit Punues: z. Visar Krasniqi, z. Dardan Vuniqi, z. Bahri Hyseni dhe z. Ilir Morina, si dhe znj. Agnisë Rexha-Shabani nga Sekretariati i Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Gjatë diskutimeve, anëtarët e grupit theksuan se sasia e materialeve të pranuara është e konsiderueshme dhe kërkon një shqyrtim të kujdesshëm për të siguruar një analizë gjithëpërfshirëse dhe profesionale. Për këtë arsye, u vlerësua se afati i paraparë prej tridhjetë (30) ditësh nuk është i mjaftueshëm për përfundimin e punës.
Në përfundim, Grupi Punues u pajtua që t’i propozojë Këshillit Prokurorial të Kosovës zgjatjen e afatit për edhe gjashtëdhjetë (60) ditë, me qëllim të finalizimit të një analize të plotë dhe cilësore mbi funksionin dhe efikasitetin e rolit të Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik.




