Forca e Sigurisë së Kosovës sot ka nisur stërvitjet në parkun e Gërmisë për një marshim kondicional. Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka publikuar pamje të tyre derisa po marshonin në shtegun e parkut.
“Ecja ime e zakonshme në Gërmi sot mori një energji krejt tjetër, një pjesë të rrugës e bëra së bashku me kadetët e Akademisë Ushtarake të FSK-së, oficerët e ardhshëm që po realizonin marshin kondicional 13 km “Shtegu i Lavdisë”. Disiplina dhe përkushtimi i tyre janë frymëzim i vërtetë”, ka shkruar Maqedonci.
Siç ka njoftuar Komuna e Prishtinës në Facebook, gjatë ditës do të zhvillohet një marshim kondicional i FSK-së. Kjo nënkupton prani të pjesëtarëve të FSK-së në terren dhe lëvizje të këmbësorisë.
“Ju njoftojmë se FSK-ja, bazuar në planin e saj të stërvitjeve, do të realizojë një stërvitje ushtarake, përkatësisht marshim kondicional në zonën e Gërmisë. Gjatë kësaj periudhe do të ketë lëvizje të këmbësorisë dhe prani të pjesëtarëve të FSK-së në terren. Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të planit të rregullt stërvitor dhe nuk ka arsye për shqetësim”, thuhet në njoftim.





