Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka miratuar licencën për tregtim të energjisë elektrike për kompaninë “Management & Development Associates L.L.C.”, e themeluar nga Luan Dalipi, shefi i stafit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Kompania tani është në emër të vëllait të tij, Driton Dalipi.
Në të njëjtën mbledhje, licencë mori edhe kompania “Energy Kosova V.B.”. ZRRE njoftoi se janë aprovuar gjithashtu kërkesat e 11 kompanive dhe 14 individëve për vetë-konsum të energjisë, me kapacitet total 1282 kW.
Sipas deklarimit të pasurisë në vitin 2021, Luan Dalipi kishte përfituar të ardhura nga “MDA” dhe kishte qenë aksionar deri në vitin 2017. Ai e kishte cilësuar këtë kompani si burimin kryesor të pasurisë së tij, ndonëse në deklarimet e fundit nuk figuron më si aksionar.




