Një mjet i pashpërthyer është gjetur pasditën e së premtes në komunën e Suharekës. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Papaz, ku banorët kanë njoftuar autoritetet për një mjet të dyshimtë.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se menjëherë pas marrjes së informacionit, njësitë policore kanë dalë në vendngjarje, ndërsa është kërkuar asistencë edhe nga njësitet për deminim të Forcës së Sigurisë së Kosovës./SuharekaOnline.
Specialistët e FSK-së kanë bërë asgjësimin e mjetit në mënyrë të kontrolluar dhe të sigurt, duke eliminuar çdo rrezik të mundshëm për banorët dhe zonën përreth.
Policia ka bërë të ditur se rasti është mbyllur pa incidente, ndërsa u bën thirrje qytetarëve që të raportojnë menjëherë çdo mjet të dyshimtë, për sigurinë e përgjithshme të komunitetit.




