Në mbledhjen e 349-të të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), e mbajtur të enjten, kryetari i Gjykatës Komerciale, Mahir Tutuli, prezantoi raportin për periudhën prill-qershor 2025, duke theksuar një rritje prej 200 lëndësh më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
“Janë 200 raste më tepër sesa në tremujorin e dytë të vitit të kaluar”, deklaroi Tutuli, sipas raportimit të “Betimi për Drejtësi”.
Në raportin e tij, Tutuli theksoi nevojën për shtim të numrit të gjyqtarëve, duke bërë të ditur se efikasiteti aktual i Gjykatës ka arritur nivelin prej 90.78%.
Në përgjigje ndaj pyetjes së zëvendëskryesueses së Këshillit, Arjeta Sadiku, Tutuli sqaroi se një gjyqtar i vetëm është përgjegjës për rastet që përfshijnë investitorë të huaj, përveç lëndëve të tjera që ka në ngarkim, duke theksuar se për shkak të natyrës së veçantë të këtyre çështjeve, ka raste kur procedurat zgjasin më shumë.
Kryesuesi i KGjK-së, Albert Zogaj, vuri në dukje se për shkak të kapaciteteve të kufizuara me gjyqtarë, është e domosdoshme vendosja e standardeve për zgjidhjen e rasteve brenda afateve të parashikuara me ligj në këtë Gjykatë.
Pas prezantimit të raportit, të gjithë anëtarët e Këshillit votuan në favor të miratimit të raportimit të kryetarit Tutuli.




