Greqia u vendos sot në qendër të hartës energjetike europiane, ka deklaruar kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, pas nënshkrimit të marrëveshjes së re energjetike me Ukrainën, gjatë vizitës së presidentit Volodymyr Zelenskyy në Athinë, që konsiderohet se mbarti simbolikë dhe pritshmëri të larta.
Në krah të kreut të qeverisë greke dhe në prani të ambasadores së re amerikane, Zelensky shfaqi mirënjohje të hapur, jo vetëm ndaj Greqisë, por edhe ndaj presidentit amerikan Donald Trump, duke e cilësuar këtë bashkëpunim thelbësor për një dimër që pritet jashtëzakonisht i vështirë për vendin e tij, i cili përballet me sfida të mëdha energjetike dhe të sigurisë
Marrëveshja e firmosur mes kompanisë greke DEPA dhe kompanisë ukrainase Naftogaz parashikon furnizim me gaz të lëngshëm LNG amerikan. Gazi do të përcillet përmes Korridorit Vertikal që nis prej portit grek të Aleksandroupolit duke mundësuar prurje të sigurta dhe të pandërprera drejt Ukrainës dhe Evropës me synim pavarësinë nga gazi rus. Furnizimet pritet të nisin brenda dhjetorit, duke i garantuar Kievit një sasi të qëndrueshme gazi në stinën më kritike të vitit.




