Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u ka bërë thirrje republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve që të votojnë në favor të publikimit të dosjeve “Epstein”, një kthesë e papritur nga qëndrimi i tij i mëparshëm.
Kjo lëvizje vjen ndërsa dhjetëra republikanë kanë sinjalizuar se janë gati të votojnë ndryshe nga linja e partisë, duke mbështetur projektligjin që detyron Departamentin e Drejtësisë të publikojë të gjitha materialet e paklasifikuara që lidhen me financierin pedofil Jeffrey Epstein.
Votimi pritet të mbahet këtë javë, dhe projektligji, i njohur si “Epstein Files Transparency Act”, besohet se ka mjaftueshëm mbështetje për t’u miratuar në Dhomën e Përfaqësuesve. Fati i tij në Senat mbetet ende i paqartë. Edhe nëse miratohet, Trump do të duhet ta dekretojë për të hyrë në fuqi.




