Dëshmitari i mbrojtjes, Wesley Clark, gjatë dëshmisë së tij foli edhe për sulmin ndaj familjes Jashari nga ushtria serbe më 1998.
Ai tha se ishte në Maqedoni atëkohë për shkak se kishin një task-forcë amerikane që ishte vendosur mes kufirit Serbi-Maqedoni.
Clark kujtoi se në ato momente ishte kontaktuar nga ambasadori amerikan në Shkup, Hill, i cili i kishte thënë që duhet menjëherë të takohet me presidentin e atëhershëm të Maqedonisë, Gligorov.
Sipas tij, Gligorov i tha në takim se tani do të fillojë një konflikt për shkak të këtij sulmi, sepse shqiptarët do të kundërpërgjigjen.
Clark tregoi se pas kësaj bisede kontaktoi menjëherë Pentagonin për t’i njoftuar e për t’i paralajmëruar se Millosheviqi do të çelte një konflikt të ri.




