Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka zhvilluar sot një takim me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.
Haradinaj ka bërë të ditur se gjatë këtij takimi është diskutuar për zhvillimet më të fundit politike në vend, me theks të veçantë situatën paszgjedhore dhe bllokadën institucionale që po zgjat prej disa muajsh.
“Gjatë bisedës me ambasadorin Rohde, riafirmova gatishmërinë time dhe të AAK-së për të dhënë kontributin në gjetjen e një zgjidhjeje që do t’i hapte rrugë konstituimit të Kuvendit dhe krijimit të institucioneve të reja,” u shpreh Haradinaj.
Ai gjithashtu shprehu falënderim për ambasadorin gjerman për angazhimin e tij të vazhdueshëm në Kosovë dhe për mbështetjen e palëkundur të Gjermanisë në rrugën euroatlantike të vendit.




